"Ëndrra atdhetare e Gjon Serreçit", roman i Ramadan Hazirit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

“Ëndrra atdhetare e Gjon Serreçit” është vepra e radhës e shkrimtarit ferizajas Ramadan Haziri, e promovuar të premten pasdite në Ferizaj.
Me këtë rast është thënë se autori i këtij romani si një kronikant dhe mjeshtër i romanit historik në Kosovë, ia ka dalë që para lexuesit të nxjerrë figurën emblematike të atdhetarit, patriotit e profesorit të njohur Gjon Serreçit, themeluesit dhe ideatorit të Lëvizjes Nacional Demokratike të Shqiptarëve , i pushkatuar në moshën 27 vjeçare nga regjimi komunist jugosllav i asaj kohe.
Redaktori i këtij libri Sylejman Dermaku, në vija të trasha ka spikatur figurën e tij, duke thënë se Gjoni me kohë kishte kuptuar froskullat e propagandës fashiste por edhe hilen e propagandës komuniste, të cilën e demantonin qëndrimet dhe dënimet ndaj shqiptarëve meqë ata të trajtoheshin edhe me keq, ndonëse nën maskën proletare se me sistemin e vjetër që hapur quhej antipopullor.
Në anën tjetër recensenti i këtij romani, Haki Shaqiri, ka thënë se me këtë roman, shkrimtari, Ramadan Haziri, po vazhdon të na ofrojë vepra të shkruara ku trajton tema delikate dhe me peshë që me hir ose pahir padrejtësisht janë lënë pasdore.
Ai ka thënë se në këtë roman historik autori na vije ndryshëm sepse si rrallëkush merret me nacionalizmën si një yll që ndiqet nga atdhetarët e devotshëm të cilët nuk e kishin mundësinë ta përqafonin si të vetin ndonjë grupim ekzistues ideologjik apo politik për realizim të të drejtës për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Një përshkrim librit i ka bërë edhe profesori i filozofisë, Enver Zhinipotoku, ka thënë se libri nxjerrë në dritë figurën tepër komplekse, për njeriun, atdhetarin më pa hile të Luftës së Dytë Botërore.
Në fund, autori i këtij romani, Ramadan Haziri, para të pranishmëve theksoi se si ferizajas i ka ra barrë që këto figura të shquar të kombit t’i nxjerr nga pluhuri i harresës.
Ndryshe, para promovimit të këtij romani është mbajtur edhe një akademi solemne në të cilën është folur për këtë figurë atdhetare që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit shqiptar.