Sistemi i drejtësisë në vend ende po përballet me numër të madh të lëndëve dhe me mungesë të madhe të besimit në gjyqësor.
Kështu është vlerësuar në “Samitin e Kosovës mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”, të organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore.
I pranishëm në këtë Samit ishte kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja i cili tha se perceptimi për sistemin e drejtësisë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri është në nivel jo të kënaqshme dhe se kjo situatë duhet të ndryshoj.
Ai shtoi ndër të tjera se duhet luftuar shumë korrupsionin dhe ndërhyrjet ,qoftë të pushteteve apo politikës në vendimmarrjen e gjyqësorit.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Blerim Reka mbajti një ligjëratë për atë se sa zbatohen vendimet e autoriteteve vendore duke thënë se bota deri më tani ka kthyer shikimin drejt shteteve dhe sipas tij kjo duhet të ndryshojë,pas që sipas tij ka ardhur koha që organizatat botërore kanë obligim t’I mbrojnë qytetarët e vet.
Ndërsa Avokati i Popullit Sami Kurteshi, tha se sistemi gjyqësor në vend edhe përkundër shumë reformave të bëra dhe investimeve në të, vazhdon ende të jetë larg asaj që pritet të jetë, një sistem të cilin qytetarët i besojnë. Po ashtu sipas Kurteshit problematike vazhdon të mbetet shtrirja e gjyqësorit në tërë territorin e vendit, përkatësisht mos shtrirja e gjyqësorit në pjesën veriore të Kosovës.
Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani theksoi në këtë sesion se sistemi i drejtësisë në vend është larg standardeve që kërkohen, mirëpo përkundër kësaj ka përparim dhe ecje përpara.
