Nisma për Kosovën, dega në Malishevë sot ka mbajtur bashkëbisedim me strukturat dhe qytetarët e Malishevës.
Në këtë debat është folur rreth fushave të ndryshme që janë në interes për qytetarët, për problemet aktuale dhe sfidat e ardhshme të vendit.
Të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e kësaj partie kryetari Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, dhe anëtarë tjerë të kryesisë së Nismës për Kosovën.
Krasniqi, tha se politika e Nismës nuk premton atë që nuk e realizon dot dhe e bën realitet çdo gjë që ua premton qytetarëve të vet.
Ndërkaq Fatmir Limaj, tha se vendi është në gjendje të vështirë, që po ballafaqohet me një krizë në shumë fusha, ekonomi, shëndetësi, mungesë e vendeve të punës, e cila sipas tij e kanë sjellë vendin në një situatë pa shpresë.
Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale Limaj ka thënë se Nisma nuk është kundër formimit të një Gjykate për hetimin e krimeve të luftës, por janë për një Gjykatë që do të ishte gjithëpërfshirëse, e cila do të procedonte të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, pa asnjë dallim, për një Gjykatë që nuk prek sovranitetin dhe nuk cenon rendin kushtetues.
