Pas një hulumtimi të bërë nga Institucioni i Avokatit të Popullit rreth gjendjes së trotuareve në Komunën e Prishtinës, ky institucion vlerëson se qytetarët po përballen me vështirësi të mëdha. Veçmas personat me nevoja të veçanta, fëmijët dhe njerëzit e shtyrë në moshë.
Avokati i Popullit vlerëson se gjendja e trotuareve po diskriminon lëvizjen e personave me nevoja të veçanta, fëmijëve dhe pleqve.
Me qëllim që ky problem të diskutohet në instanca më të gjera e të gjendet një zgjidhje, Avokati i Popullit sot organizoi një diskutim me përfaqësues të ministrive përgjegjëse për mjedis e planifikim hapësinorë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, ata komunal dhe organizatat joqeveritare. E raporti i PK-së, tregon se vetëm nga janari deri në maj të këtij viti, në rrugë kanë mbetur të vdekur 16 këmbësorë.
Në raportin e prezantuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, rreth hulumtimit të bërë, del se në Prishtinë ka mungesë të planifikimit racional urban të trotuareve.
Sipas raportit, trotuaret në të shumtën e rasteve janë të shndërruara në parkingje për vetura, e që shenjat për parkim janë të vendosura rrallë nëpër vende të caktuara.
Avokati i Popullit, Sami Kurteshi tha se kanë reaguar si institucion lidhur me këtë problematikë por kjo nuk është marrë serioze.
Sipas Kurteshit, qëllimi i kësaj tryeze është që të hapet një debat edhe me institucionet publike përgjegjëse dhe me shoqëri civile në mënyrë që të përmirësohet situata.
Nga hulumtimi i bërë del se trotuaret nuk e kanë gjerësinë e duhur dhe në të shumtën e rasteve ato nuk kanë vazhdimësi, shpesh përfundojnë pa parashikueshëm.
E si pasojë e parregullsive në komunikacion dhe në vetëdijesim të njerëzve, vetëm prej janarit deri në maj të këtij viti, kanë mbetë të vdekur 16 këmbësor. Kështu raporton zyrtarja nga Policia e Kosovës, Leonora Krasniqi Gashi.
Sipas Krasniqit, vetëm në rajonin e Prishtinës janë 6 persona të vdekur për këtë periudhë kohore. Këmbësorë të lënduar janë 464 prej të cilëve 168 janë fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Ajo tregon se vetëm në Prishtinë janë 202 këmbësorë të lënduar, 70 prej tyre fëmijë.
E për aksidentet fatale, krahasuar me vitin e kaluar,thotë se janë në rënie për këtë pesë-mujor.
Përgjegjës për këtë gjendje, mbesin edhe ministritë përkatëse. Ilirjana Perteshoni, këshilltare e ministrit të mjedisit dhe planifikimit hapësinor, tha se kjo ministri në bashkëpunim me pushtetin lokal janë duke punuar që të gjejnë zgjidhje për parkingje.
E për institucionin e Avokatit të Popullit, i pa justifikueshëm mbetet tolerimi i inspektorateve komunale për uzurpiminin e trotuareve që po bëhet nga individë e materiale të ndryshme për ndërtim të objekteve.
Nga hulumtimi që kanë bërë kanë nxjerrë gjithashtu se për mbulimin e trotuareve po shfrytëzohen materiale të ndryshme, si pllaka e rrasa gurore jo të përshtatshme. Sipas tyre, ka edhe shumë gropa e puseta të dëmtuara që u mungojnë kapakët, e që janë të rrezikshme për qytetarët
