Inspektorati i Punës gjatë muajit prill të këtij viti ka gjetur afër 300 punonjës në sektorin privat duke punuar pa kontrata pune, gjë që ka bërë që të penalizohen dhe gjobiten bizneset nga ana e inspektoratit të punës. Ndërsa puna e Inspektoratit nuk është e kënaqshme për ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashin, i cili premton ngritjen e kapaciteteve të inspektorëve të punës.
Abrashi në një intervistë për “KosovaPress” thotë se përmes skemave projektuese do të zbusin numrin e të papunëve.
Ai shton se numri i vogël i inspektorëve ka bërë që gjendja në sektorin privat të jetë kjo që është. Sipas tij, kufizimet buxhetore kanë bërë që të jenë të hendikepuar por ai shpreson që me kohë do të rregullohet edhe kjo çështje duke punësuar më shumë inspektorë.
Po ashtu Abrashi tregon se në muajin tetor do të vendosin një sistem i cili do t’u mundësojë punonjësve të cilëve u shkelen të drejtat të raportojnë.
Ai po ashtu thotë se në rast se bizneset dhe punonjësit hasin në ndonjë shkelje që inspektorët bëjnë atëherë ata do të mund të lajmërojnë, pasi ekziston dyshkallshmëria e cila i jep mundësi edhe ministrit në marrjen e masave ndaj inspektorëve.
Abrashi flet edhe për skemat dhe projektet që gjenerojnë punësim.
Ai sqaron se me subvencionimin e pagave në fazën e parë kanë përfituar afër 600 persona e që për punësimin e femrave nga ana e kompanive pagat u janë subvencionuar deri në 12 muaj. Po ashtu tregon edhe për marrëveshjet me shtete të ndryshme për punësimin e kosovarëve jashtë.
Ai tregoi se në Gjermani tashmë ka shkuar një grup prej 27 personash që kanë fituar kontratë në fushën e infermierisë. Ndërsa sa i përket rastit të ish-kryeinspektorit të suspenduar kohë më parë , Shkumbim Demalijaj , Abrashi tha se do të respektohet vendimi i gjykatës dhe se, sipas tij, Demalijaj nuk e ka pranuar ofertën e parë dhe tani mbetet t’i ofrohet dhe oferta e dytë, të cilën do t’ia ofrojë Ministria e Administratës Publike
