Senatori amerikan dhe njëri nga kandidatët në garën e republikanëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Marko Rubio, ka shprehur qëndrimet e tij për disa burrështetas botëror, me ç’rast presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, e quajti mafioz, ndërsa për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Unin, tha se është i sëmurë mendor.
Duke folur në një tubim në Karolinën e Jugut, Rubio tha se Rusia dhe Koreja e Veriut janë armiq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke aluduar në Putinin, Rubio tha se Rusia kryesohet nga një mafioz, i cili është përfaqësues i kriminalitetit të organizuar, i cili kontrollon qeverinë ruse dhe i cili vret rivalët e tij politik. Rubio theksoi se nëse je armik i Putinit, atëherë gjasat janë të mëdha të vritesh në rrugë apo që të hidhet hel në pijet tuaja.
Fjalë po aq të ashpra ai përdori edhe për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Unin.
Sipas Rubios, në Korenë e Veriut një i sëmurë mendor posedon armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të godasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai më tutje shtoi se rrezik të madh për Amerikën paraqesin edhe islamistët anembanë botës, Irani, Kina dhe regjimet tjera totalitare./21Media
