Sot u bë përurimi dhe dorëzimi i çelësave përfituesve të 20 shtëpive të ndërtuara për familjet e strehuara në kontejnerët në lagjen e Dëshmorëve në Balloc të Podujevës.
Në ceremoninë e organizuar sot në Lagjen e Dëshmorëve në Podujevë, 20 familje kanë marrë çelësat e shtëpive të reja, të ndërtuar nga një projekt i përbashkët i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Podujevës.
Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu shprehu përkushtimin e Komunës së Podujevës që në harmoni me kushtet që parasheh Memorandumi i nënshkruar me MPMS-në t’i kryejë të gjitha obligimet në mënyrë që sa më shpejt të gjithë të strehuarit në këtë lagje t’i kenë shtëpitë e tyre.
Ndërsa në fjalën e tij, ministri Abrashi tha se në këtë kohë të jetohet në kontejnerë është e papranueshme. “Shpreh përkushtimin tim të plotë se do të angazhohemi së bashku me kryetarin Veliu që sa më shpejt të vazhdohet me këtë projekt dhe kësaj lagjeje nga kontejnerët, t’i japim një pamje krejt tjetër”, tha Abrashi./21 Media/
