Një burrë që u shpall i pafajshëm pasi kaloi gati 30 vjet në pritje për t’u ekzekutuar, ndërroi jetë pak më tepër se një vit pasi u lirua.
Glen Ford mbylli sytë të hënën në Luiziana të Shteteve të Bashkuara në moshën 65-vjeçare.
Ford u dënua me vdekje me akuzën për një vrasje të shkallës së parë në vitin 1984 dhe u lirua në mars 2014 pasi kaloi 29 vite, tre muaj dhe pesë ditë në izolim.
Ai do të ishte ende në radhën e pritjes për t’u ekzekutuar sikur një informator i besuar të mos i kishte thënë policisë në 2013-ën se dikush tjetër i kishte rrëfyer për vrasjen për të cilën akuzohej Ford.
Avokati dhe miku i të ndjerit, Uilliam Most, tha se Gleni u diagnostikua me kancer të fazës së tretë në mushkëri disa muaj pasi doli nga burgu. Most shtoi se në pak kohë tumori avancoi në fazën 4 e u përhap në kocka. “Ai ishte një njeri vërtet frymëzues edhe për persona me të cilët nuk kishte lidhje”, u shpreh Most.
Në prill, Glen Ford pranoi të takohej me prokurorin që e vuri pas hekurave. Pasi i pandehuri u lirua, prokurori i shkroi një letër të hapur ku i kërkonte falje, por Ford tha asokohe se nuk ishte në gjendje ta falte.
