Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Siarto, vlerësoi se prej 30 deri në 35 milionë refugjatë nga vatrat e krizës po lëvizin drejtë Evropës dhe se për këtë arsye forcimi i kufijve ka rëndësi të madhe dhe është i domosdoshëm.
Në intervistën dhënë gazetës Magjar Idok, Siarto tha se Bashkimi Evropian ka injoruar mbrojtjen e kufijve të vet dhe se udhëheqësit evropianë po frikësohen që gjërat ti paraqesin ashtu siç janë në realitet, ngase sipas tij ata e kanë më lehtë të kritikojnë vendet, të cilat punojnë dhe angazhohen.
Shefi i diplomacisë hungareze më tutje tha se udhëheqësit evropianë po veprojnë duke u bazuar në raportet e rrejshme të medieve ndërkombëtare dhe se Hungaria e ka të qartë se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë me miliona imigrantë ekonomik.
Siarto nënvizoi se kriza mund të menaxhohet, vetëm nëse forcohet sistemi i Shengenit.
Sa i përket rrethojës në brezin kufitar mes Hungarisë dhe Serbisë, Siarto tha se ajo me gjasë do të jetë një masë efikase për të zhvendosur shtigjet e trafikantëve me qenie njerëzore./21 Media/
