Rreth 400 forca të policisë lokale, Renea-s dhe të FNSH-së kanë rrethuar fshatin Lazarat. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila konfirmon po ashtu se forcat speciale janë pozicionuar dhe mbajnë nën vëzhgim çdo lëvizje në fshat.
Gjithashtu në pikat hyrëse e dalëse janë ngritur postblloqe policie. Po ashtu Policia ka sekuestruar sot një arsenal të tërë armësh në Lazarat.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka premtuar se “të gjithë ata që kanë guxuar të qëllojnë me armë ndaj policisë do të marrin përgjigjen e duhur ligjore”.
Duke folur për mediat pas daljes nga drejtoria e Policisë Gjirokastër, Tahiri u shpreh në lidhje me vrasjen e një efektivi të RENEA-s në Lazarat se: “Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka për të treguar që shteti ligjor vlen në çdo cep të Shqipërisë. Jemi shumë të vendosur që të mos lejojmë kriminelë dhe terroristë të shkaktojnë të tilla situata në të ardhmen”.
Më tej, ministri i Brendshëm shtoi: “U kam bërë thirrje banorëve të Lazaratit për të ndihmuar Policinë e Shtetit. Ne besojmë që banorët e ndershëm janë në krah të policisë”.
