A është mishi në kushte joadekuate?

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Konsumatorët e Kosovës janë të rrezikuar nga produktet e mishit në këtë mot të nxehtë, pasi tregtarët e disa dyqaneve dhe tregjeve të hapura mbajnë këto produkte në kushte jo adekuate. Konsumatorët hasin gati çdo ditë në produkte të dyshimta, qoftë për cilësi apo për afate të skadencës.
Ankesat e konsumatorëve janë shtuar në Agjencinë e Ushqimit për produkte jocilësore dhe ruajtje joadekuate.
Zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AUV), thonë për KosovaPress se kanë asgjësuar gjatë këtij viti 50 mijë kilogramë produkte të mishit për jocilësi dhe pa afat. Kjo Agjenci po merr çdo ditë ankesa të shumta nga konsumatorët për produktet e dyshimta ushqimore në treg, kryesisht të atyre të mishit.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit, Lamir Thaçi, thotë se janë duke punuar në zbatimin e planit nacional për kontroll të produkteve ushqimore. Sipas tij, gjatë sezonit të verës kjo Agjenci ka ngrit frekuencën e kontrollit për produktet që kërkojnë kushte adekuate të ruajtjes sidomos kur ngritën temperaturat.
Sipas tij gjatë këtij viti ka pasur raste kur kanë hequr produkte nga tregu për shkak të ruajtjes jo adekuate nëpër dyqane si dhe për afatin e skadencës
Ai tutje tha se brenda këtyre 6 muajve, vetëm në produkte me origjinë shtazore janë mbi 50 mijë kilogramë produkte të asgjësuara. Këto produkte janë kryesisht mish apo produkte të mishit.
Sipas tij, inspektorët produkte të cilat nuk janë ruajtur sipas specifikës së vet produktit, ato produkte menjëherë konfiskohen dhe inspektori vlerëson rrezikun që kanë këto produkte dhe në shumicën e rasteve këto produkte asgjësohen, sepse vet kushtet jo adekuate të ruajtjes mund ta rrezikojnë shëndetin e produktit, i cili mund të ndikojë edhe direkt shëndeti i qytetarëve.
Thaçi tha seimportet bëhen nga shumë vende, kryesisht nga Brazili, Argjentina, Urugai, SHBA, por tani importe ka edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Agjencia kontrollon të gjitha produktet ushqimore në Kosovë, qofshin ato nga importi apo prodhimi vendor.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës ankohet se ndonëse ka shumë ankesa, ka mungesë të inspektorëve.
Kryetari i Shoqatës së Mishtarëve, Burim Piraj, thotë për Kosovapress se cilësia e produkteve të mishit në Kosovë mund të thuhet se është në nivel të kënaqshëm edhe pse përherë ka hapësirë për përmirësime. Në bazë të ligjit të ushqimit dhe të rregulloreve në fuqi e tërë përgjegjësia mbi sigurinë dhe cilësinë e ushqimit bie mbi prodhuesit, kështu që edhe cilësia ndryshon në bazë të prodhuesit.
Sipas tij ankesa ka më së shumti në lidhje me therjen e kafshëve në tregje si dhe në ekspozimin e produkteve të mishit në tregje të hapura.
Sipas tij, mekanizmat e kontrollit të ushqimit në përgjithësi në vendin tonë e të mishit në veçanti duhet të shtojnë burimet njerëzore pikë së pari dhe duhet që të vendosin në zbatim ligjin e ushqimit në fuqi i cili ofron shërbim të integruar të veterinarëve nga niveli komunal deri në qendër që e cila ende është pezull dhe nuk po zbatohet.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Kosova press, se për cilësinë e produkteve të mishit ka dyshime dhe këto dyshime sipas tij janë ndryshme. Kaçaniku si shqetësuese ka thënë se është edhe mënyra e ekspozimit nëpër dyqane.
KosovaPress ka kontaktuar edhe në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve ë është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë por që nuk kanë dashur të flasin. Ruzhdi Shehu nuk ka dashur të deklarohet lidhur me kontrollet në tregun e Kosovës nga inspektorati i tyre.