Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që sipas tyre po përcillet me mungesë të qasjes profesionale, ideve konkrete, si dhe programit të mirëfilltë dhe politikave të qarta.
“Thjesht, ka dobësi në menaxhimin e MPB-së, përkatësisht tërë aktivitetet janë të natyrës administrative-procedurale. Pavarësisht se çfarë deklarata dalin nga Qeveria dhe MPB-ja, dëshmitë janë të kundërta”, thuhet në një komunikatë të AAK-së.
AAK ka rekomanduar Qeverinë dhe MPB-në që të emërojë urgjentisht koordinatorët e Grupeve Drejtuese për Implementimin e Strategjive në fushëveprimin e MPB-së dhe të kompletojë Ministrinë.
“Të mblidhen Grupet Drejtuese dhe të rishikohen shumica e Strategjive, të cilat nuk kanë dhënë efekte; MPB-ja të ndërtojë Programin për Pakon Sociale për Policinë e Kosovës; MPB-ja të fillojë zbatimin e Sigurimit Shëndetësor për policët dhe zjarrëfikësit në mënyrë urgjente, të paktën që nga qershori 2015; Qeveria të rishkruajë Programin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, thuhet në komunikatë.
