Emisari i dikurshëm për zgjidhjen e statusit të Kosovës, gjermani, Wolfgang Ishinger hedh poshtë dilemat se Këshilli i Sigurimit nuk mund të themeloj Gjykatën Speciale, sipas tij mund ta bëjë këtë pa problem. Si mik i Kosovës bënë thirrje që Kosova të jap sinjal të fuqishëm për drejtësinë dhe jo t’i frikësohet themelimit të kësaj Gjykate.
Një diplomat evropian që u angazhua për zgjidhjen e statusit të Kosovës, hedh poshtë të gjithë zërat që thonë se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk do ta themeloj Gjykatën Speciale, nëse këtë gjë s’e bënë vet kosovarët.
Volfgang Ishinger, që ishte pjesë e Trojkës statusore, thotë për RTV21 se dilema nuk ka që organi më i lartë vendimmarrës i Kombeve të Bashkuara do ta nxjerr këtë gjykatë, por lutet që këtë alternativë të mos e mendojnë autoritetet në Prishtinë.
“Këshilli i Sigurimit ka mandatin dhe autoritetin e plotë që të merr vendime të cilat i përkasin sigurisë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe nëse kjo gjykatë mendon se në kuadër të detyrave të saj është edhe themelimi i një Gjykate të tillë atëherë ky organ, pra Këshilli i Sigurimit do ta marrë të drejtën që të themeloj një gjykatë të tillë dhe ky vendim merret nga 15 shtete anëtare. Por unë dëshiroj shumë që vendimin të marr vetë shteti juaj, ai ta ketë përgjegjësinë e jo bashkësisë ndërkombëtare t’i lihet kjo”, tha ambasadori Wolfgang Ishinger .
Ambasadori Ishinger vlerëson se është zgjidhje e pavolitshme për Kosovën, nëse kjo çështje bartet për t’u vendosur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas tij, deputetët duhet të kenë guximin që ta shtyjnë përpara formimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht se kush mund të jenë të dyshuarit potencial.
“Askush në Kosovë nuk duhet që të ketë frikë nga themelimi i një gjykatë të tillë, kjo gjykatë do të sillte vendime që do japin drejtësi, jo padrejtësi dhe do të punonte në bazë të parimeve të një shteti ligjor, ky është qëllimi. Duhet të ketë drejtësi dhe që të ndriçohen çështjet e së kaluarës dhe kjo do të jetë mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin drejtë BE-së”,tha ambasadori Wolfgang Ishinger .
Si emisar që ishte për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Ishinger thotë se e njeh mirë historinë e Kosovës, andaj porosit që të mos etiketohet kjo gjykatë se do të bëjë drejtësi selektive. Ndërsa siç thotë ai, po nuk e themeloi Kosova këtë Gjykatë, atëherë do të dërgoj sinjal të keq në botë, se nuk e respekton sundimin e ligjit.
“Është shumë e rëndësishme që të respektohen parimet e një shteti ligjor kjo vlen për të gjitha krimet, pa marrë parasysh se a janë bërë në Kosovë nga kosovarët apo jashtë Kosovës nga të tjerët. Është e rëndësishme të fillohet, është mirë që Kosova në aspektin ndërkombëtar të mos duket si vend që po i shmanget drejtësisë. Kjo çështje do të parashtrohet edhe për Serbinë por në një formë tjetër, po është mirë që të ketë një fillim që Kosova të jap një sinjal të fuqishëm për drejtësinë dhe që nuk i frikësohet drejtësisë”, tha ambasadori Wolfgang Ishinger .
Ambasadori Ishinger ka qenë i deleguar i Bashkimit Evropian, bashkë me ambasadorin Frank Vizner të Shteteve të Bashkuara dhe emisarin rus Aleksandar Bocan Harqenko, në përpjekjet e fundit pas publikimit të planit të Ahtisaaarit për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për dy palët rreth statusit të Kosovës. Por meqë Serbia nuk pranoi Planin e Ahtisaarit, i njëjti nuk shkoi në Këshillin e Sigurimit për votim, dhe Kosova shpalli pavarësinë./ 21 Media
