Vizita e kancelares gjermane, Angela Merkel në Shqipëri është cilësuar si një konfirmim i perspektivës së Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Por kjo vizitë lidhet edhe me angazhimin e një shteti të fuqishëm si Gjermania në rajon, e cila tashmë duket se e ka kuptuar rëndësinë e përfshirjes së tij në familjen e madhe evropiane.
E ndërsa Evropa e bashkuar po përballet me një krizë që rrezikon përçarjen e saj me daljen e Greqisë nga eurozona, vizita e Merkelit konfirmon se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor për Gjermaninë, është i rëndësishëm.
Qeveria e Merkelit ka punuar për vite me radhë për të nxitur stabilitetin në Ballkan, për të treguar se diplomacia mund të japë rezultate dhe të udhëzojë rajonin drejt çmimit të anëtarësimit në BE.
Ky është modeli që ofron BE, përballë qasjes së një tjetër superfuqie botërore siç është Rusia, e cila gjithashtu po kërkon të influencojë në Evropën Juglindore. Florian Bieber nga Qendra e Studimeve për Evropën Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri, në një intervistë për Top-Channel, thotë se Gjermania e ka kuptuar se ka edhe lojtarë të tjerë në këtë histori, siç është Rusia.
“Ne e dimë që marrëdhëniet e BE-së me Rusinë janë përkeqësuar dhe se Rusia mund të luajë një rol negativ në rajon dhe është nevoja në dërgimin e një sinjali të qartë se, me reforma dhe një bashkëpunim më të mirë rajonal këto vende mund të avancojnë rrugën e tyre drejt BE-së dhe se nuk ka alternativa të tjera”, shprehet Bieber.
Edhe analisti Gabriel Partosh vlerëson se interesi i Gjermanisë për Ballkanin lidhet me rrezikun që i kanoset BE-së, e në veçanti integrimit të vendeve aspirante, duke humbur shpejtësinë siç ndodhi me Maqedoninë, një vend që ka 10 vite që është vend kandidat.
Gjermania vlereson se ky mbase është rasti për t’u dhënë fund zvarritjeve të BE-së, për t’u siguruar që të arrihet progres për Kosovën, që të mbahen premtimet e serbëve për normalizimin e marrëdhënieve, dhe për të konfirmuar rolin mbështetës dhe përgjegjësinë e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
