Anija kozmike “New Horizons” kaloi pranë Plutonit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Agjencia amerikane e gjithësisë, NASA, shkroi sot histori, pasi që anija e saj kozmike, Nju Horizons, nëntë vjet pas lansimit të saj, kaloi pranë planetit të Plutonit. Megjithatë, shkenctarët do të jenë të detyruar të presin disa muaj për grumbullimin e të dhënave nga ky planet.
Data 14 korrik do të hyjë në historinë e agjencisë amerikane të gjithësisë, NASA. Pas udhëtimit nëntëvjeçar, anija kozmike Nju Horizons, pikërisht në ora 13.49 sipas kohës lokale, kaloi në një largësi prej 12 mijë kilometra pranë planetit të Plutonit, planet ky deri me tani i pahulumtuar. Sipas NASA-s, ky mision në skajin më të largët të sistemit diellor ka kushtuar 700 milionë dollarë.
Afrimi i anijes me sistemin e panjohur të Plutonit konsiderohej i rrezikshëm, për shkak të rrezikut nga përplasja me grimca të ndryshme, të cilat mund të dëmtonin rëndë fluturaken.
Nju Horizons tani është paraparë që të xhirojë sipërfaqen e Plutonit. Gjatë javës pritet që fluturakja të dërgojë fotografitë e para nga Plutoni, ndërsa xhirimet e para pritet të arrijnë në shtator. Plutoni për vite me radhë është konsideruar si pjesë e nëntë planetëve të mëdha të sistemit diellor, para se të nivelizohej si planet xhuxh në vitin 2006.
Për të arritur deri te Plutoni, anija Nju Horizons ka bërë një rrugëtim të gjatë 4.88 miliardë kilometra./ 21 Media