Anton Nikë Berisha është fitues i sivjetmë i çmimit letrar “Beqir Musliu”. Vendimin e jurisë profesionale, në përbërje Nehas Sopaj, Sabile Keçmezi Basha dhe Ramadan Musliu, e ka publikuar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në seancën solemne të Kuvendit Komunal, e cila është mbajtur për nder të ditës së çlirimit.
Çmimi jepet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, për arritje të veçanta në letërsi.Sipas Ars Clubit “Beqir Musliu”, kandidat për këtë çmim, sivjet ka qenë Agim Gjakova, Nikollë Spathari, Lazër Stani e Anton Nikë Berisha.
Anton Nikë Berisha është autor i mbi 50 veprave letrare në poezi, prozë, përkthimeve letrare, antologjive dhe studimeve teorike-estetike dhe letrare.
Anton Nikë Berisha përfaqëson njërin nga individualitetet e shquara letrare të letërsisë së sotme shqipe, i cili në vazhdimësi ka ndërtuar një arkitektonikë letrare artistike në themel të së cilës është ekzistenca historike dhe aktuale e njeriut dhe etnosit shqiptar.
