Janë zbardhur të tjera detaje nga hetimet për vrasjen e dy turistëve çekë, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në afërsi të fshatit Prekal në zonën e Dukagjinit në Shkodër.
Nga hetimet deritanishme mësohet se dy turistët janë vrarë me plumba pas koke, çfarë përforcon dyshimet se një nga autorët kryesorë të kësaj ngjarjeje ishte personi që po udhëtonte, si shoqërues apo si pasagjer, së bashku me turistët.
Dyshimet e policisë janë se në këtë krim të shëmtuar kanë marrë pjesë dhe persona të tjerë që u kanë ngritur pritë turistëve.
Aktualisht, aksionet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vazhdojnë në gjithë zonën e thellë malore, duke bërë krehjen e gjitha vendeve të dyshimta. Deri në këto momente janë shoqëruar në Policinë e Shkodrës rreth 35 persona, që dyshohet se kanë lidhje apo dijeni për ngjarjen.
