Përkundër faktit se Greqia ka pranuar kushtet e kreditorëve ndërkombëtar, në shkëmbim të pakos së tretë të ndihmave financiare, telashet me këtë vend po vazhdojnë. Athina nuk i pagoi Fondit Monetar Ndërkombëtar këstin e borxhit prej 456 milionë euro brenda afatit të paraparë.
Greqia nuk i është përmbajtur afatit kohor për t’i kthyer këstin e dytë të borxhit Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka njoftuar sot zëdhënësi i këtij institucioni, Geri Rajs.
Athina është dashur të kthejë deri të hënën në mbrëmje këstin prej 456 milionë euro, pasi që paraprakisht nuk pagoi as këstin e parë të borxhit prej 1.5 miliardë euro deri më 30 qershor.
Borxhi i përgjithshëm grek ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar tani arrin vlerën e përgjithshme prej 2 miliardë euro. FMN-ja, pasi që Greqia nuk pagoi këstin e parë, ka ngrirë mjetet për këtë vend nga programi i ndihmave financiare.
Athina nga fondi ka kërkuar vazhdimin e afateve për shlyerjen e borxhit, ndërsa Rajs tha Këshilli ekzekutiv i Fondit për këtë kërkesë do të diskutojë gjatë javëve në vijim.
Greqia arriti të hënën të sigurojë marrëveshjen për pakon e tretë të ndihmave financiare, duke shmangur kështu largimin nga eurozona.
Pakoja e re ka një vlerë prej 86 miliardë euro dhe është miratuar me kushte të ashpra, të cilat përfshijnë pakon e masave të kursimit, të cilat duhet të miratohen nesër nga Parlamenti i Greqisë.
Ndërkohë, ministri britanik i Financave, Xhorxh Osborn, ka përjashtuar mundësinë që Londra të përfshihet financiarisht në pakon e re të ndihmave për Greqinë.
Ai kundërshtoi mundësinë që mjetet nga Mekanizmi Evropian për stabilizim financiar nga viti 2010 të shfrytëzohen për ti ofruar ndihmë Greqisë dhe shtoi se këtë ja ka bërë të qartë shteteve anëtare të eurozonës./ 21 Media
