Filmi kosovar “Babai”, me skenar dhe regji nga Visar Morina, ka pasur mbrëmë premierën gjermane në festivalin e njohur Film Fest Munchen të Gjermanisë.
Filmi është i nominuar për regjinë më të mirë dhe skenarin më të mirë (Visar Morina) dhe aktorin më të mirë (Astrit Kabashi dhe Val Maloku).Filmi shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrë dhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.
“Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit Film und Medien Stiftung NRW, FFA, Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde .Sipas Komunikatës së QKK-së, është filmi më i shtrenjtë ,që është realizuar kohëve të fundit në Kosovë.
Në fund të kësaj jave “Babai” do të shfaqet edhe në konkurrencën zyrtare në Karlovy Vary International Film Festival në Republikën Çeke.
