I 26-ti çmim me radhë është bërë për filmin e metrazhit të shkurtë “Ballkoni”, me regji të Lendita Zeqiraj, të cilës i është ndarë në edicionin e tetë të “Corto di Donne Film Fesival”, të Napolit.
Festivali që sivjet është mbajtur midis datave 18 e 21 qershor, mbahet në Napoli të Italisë dhe u dedikohet filmave të shkurtër të realizuar nga femrat. Siç shkruhet në ueb faqen zyrtare të festivalit – në të cilin janë publikuar emrat e filmave fitues – tridhjetë e nëntë filma të shkurtër të përzgjedhur nga më shumë se 300 sish nga 40 vende të botës, janë prezantuar në garën e ndarë në katër kategori: animacion, dokumentarë, fiksion dhe eksperimental.
Juria që ka ndarë çmimin fiksion ka qenë në përbërje të Antonietta De Lillos, Maurizio Di Rienzos dhe Cristina Donadios.
Ky është trofeu i 26-të me radhë për filmin që ka pasur premierën në festivalin e filmit në edicionin e 70-të të Festivalit të Filmit në Venecia në shtator të 2013-s, duke u bërë filmi i parë shqiptar që ka marrë pjesë në festivalin më të vjetër ndërkombëtar të filmit.
