Basha:Shqipëria me deputetë të inkriminuar

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ka reaguar ndaj raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikun e qenieve njerëzore, dhe ka vlerësuar faktin se dokumenti vë në dukje përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafiqeve, pa lënë mënjanë edhe disa kritika.
“Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut”, thuhet në një deklaratë për shtyp. Por në të njëjtën kohë, ambasada vlerëson si “të turpshëm” faktin që Parlamenti i Shqipërisë ka në radhët e tij një anëtar të dënuar për trafik qeniesh njerëzore.
“Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet e standarte të larta etike dhe jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”, përfundon komunikata.
Lidhur me këtë raport ka reaguar sot edhe kreu i opozitës Lulzim Basha i cili thotë se ajo çka shkruhet në raport ës htë asnjë më shumë se e vërteta e hidhur, dhe se Shqipëria është e vetmja me deputetë të inkriminuar.
Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka nënvizuar se, PD do të vijoj betejën për dekriminalizimin e politikës, duke pasur përkrah SHBA dhe BE.
Basha ka akuzuar dyshen qeverisëse Rama-Meta për bashkëpunim me qarqe kriminale për blerje votash dhe afera të tjera.
Ndërkohë edhe Kryetari i Kuvendit dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përshëndet dhe vlerëson Raportin e sapopublikuar të Departamentit të Shtetit të SHBA për Trafikimin e Personave, në të cilin vlerësohet përparimi i angazhimit dhe përpjekjeve të Qeverisë Shqiptare në luftën e vazhdueshme ndaj këtij fenomeni dhe aktiviteti kriminal.
Meta shpreh bindjen se Raporti përfaqëson një platformë të rëndësishme dhe nxitje pozitive për punën e strukturave të specializuara të shtetit që përballen me këtë fenomen, në zbatimin e plotë të ligjit, zhvillimin e programeve sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut, parandalimin e shfaqjes së tij, si dhe goditjen dhe ndëshkimin ligjor dhe pa asnjë kompromis të të gjithë të inkriminuarve që kanë përfituar apo tentojnë të përfitojnë nga kjo veprimtari kriminale.
Meta, në frymën që përçon ky Raport, njëkohësisht apelon dhe kërkon nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit që në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, të rrisin nivelin e profesionalizmit dhe të luftoj në pa asnjë kompromis, si dhe të çojnë përpara drejtësisë të gjithë të inkriminuarit e përfshirë në veprimtari të paligjshme të trafiqeve të çdo lloji.