Ministria e Financave, ajo e Brendshme si dhe Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë nënshkruan të enjten një memorandum bashkëpunimi në kuadër të operacionit të qeverisë, nisur në fillim të këtij muaji, kundër informalitetit në ekonomi.
Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar në Kryeministri, synon që çdo rast evazioni fiskal i kryer nga biznesi apo i mbështetur nga zyrtarë, të ndëshkohet nga ligji.
I pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, që e cilësoi të ngjashëm këtë memorandum me atë të nënshkruar kundër vjedhjes së energjisë.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme siguron edhe mbështetje ligjore për të gjithë inspektorët në terren.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi në fjalën e tij se operacioni i qeverisë po ecën suksesshëm dhe nëse do të vijohet me këtë ritëm, qeveria do të jetë në gjendje të realizojë objektivat e vendosura.
Sipas tij, operacioni duhet konsideruar reformë dhe jo aksion disa javësh. Duke u ndalur në shifra, Cani tha se vetëm në dy muaj janë regjistruar rreth 15 mijë biznese të reja, ndërsa deri në fund të vitit kjo shifër pritet të shkojë në 30 mijë.
“Rritje me 50 % ka patur kuponi tatimor, edhe fatura tatimore është rritur ndjeshëm, ndërsa rritje ka patur edhe numri i punonjësve të regjistruar”, deklaroi Cani.
Ndërsa, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke vënë theksin në faktin se krimi ekonomik, edhe pse jo me krisma, sjell një dëm më të madh ndaj shtetit e shoqërisë, siguroi për angazhimin e të gjitha organeve shtetërore për thellimin e hetimeve të krimit financiar e ekonomik.
“Do të ketë hetime të kualifikuara në fushën financiare. Përmes këtij memorandumi bashkëpunimi biem dakord të shtrojmë një platformë bashkëpunimi permanente”, deklaroi Tahiri.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili vlerësoi si të rëndësishëm këtë memorandum, theksoi se tre institucionet kanë arritur të hartojnë një plan të mirëpërcaktuar veprimi, në mënyrë që të hetohen e të çohen para drejtësisë të gjitha ato biznese që realizojnë evazion fiskal.
