Të dhënat e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza se vitin e kaluar kishte një rritje ekonomike prej 2.7 për qind, i ka mohuar Banka Botërore, përfaqësuesit e të cilës thonë se rritja ekonomike ishte vetëm 1 për qind.
Këtë e ka bërë të ditur sot në një konferencë për media Agim Demukaj, ekspert në Bankën Botërore, gjatë prezantimit të dy raporteve për ekonominë e Kosovës.
“Në bazë të vlerësimeve që i bënë Agjencia e Statistikave të Kosovës…preliminare që është shumë preliminare ka dal që rritja ekonomike në vitin e kaluar ka qenë vetëm 1 për qind. Ata e kanë publikuar Agjencioni i Statistikave para një jave nëse nuk gaboj apo dhjetë dite ka qenë pak shokuese edhe për ne se e kemi prit që ka me qenë pak më shumë, kemi pritë që ka me qenë mbi 2 për qind. Mirëpo siç duket ata i kanë marrë parasysh faktin që e përmenda ndikimin shumë negative që e ka pasur ndërprerja e prodhimit të rrymës elektrike vitin e kaluar…Në radhë të parë prodhimi i rrymës ka qenë më i ultë se sa një vit përpara, në radhë të dytë është rrit importi i energjisë që ndikon paparë negativisht kur kalkulohet rritja ekonomike e GDP-së …Sa i përket rritjes ekonomike 2015 nëse nuk ka me pas ndonjë shok të njëjtë sikurse vitin e kaluar me energji apo me diçka tjetër ne presim që rritje ekonomike me qenë diku rreth 3 për qind”, tha Demukaj.
Demukaj ka treguar se në bazë të një ankete të realizuar me firmat që veprojnë në Kosovë kanë perceptime se nëse një pronarë ka bashkëpronarë një politikanë, atëherë ai i ikë evazionit fiskal.
Demukaj po ashtu ka thënë se nga analizat e bëra në këto raporte ka dal se investimet e bëra në autostradë, subvencionimi për sektorin e energjisë nuk kanë qenë përfituese për qytetarët.
Ndërsa, shefi i Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se Jan Peter-Oletrs, ka thënë se nëpërgatitjen e strategjisë së re Banka Botërore kërkon të kuptohet më mirë sfidat kryesore të zhvillimit para se të konsultohet me të gjithë palët e interesuara në fushën prioritare të mbështetjes.
Po ashtu, në raporte BB ka veçuar si sfidë shumë të madhe edhe numrin e lartë të pa punësisë dhe varfërisë, kështu duke u radhitur në vendin e dytë në Evropën Juglindore.
