Bashkimi Evropian është i brengosur që Kosova akoma nuk ka themeluar gjykatën speciale dhe mosvotimi i saj nga ana e deputetëve të Kosovës ka befasuar BE-në. Themelimi i dhomave të specializuara të gjykatës speciale është i domosdoshëm dhe se një gjë të tillë Kosova duhet ta bëjë sa më shpejt që është e mundur.
Kështu ka deklaruëar të mërkurën Jean- Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian, në një konferencë të përbashket për media me ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Konferenca për media u mbajt pas takimit të pestë plenar për Dialogun e Procesit të Stabilizim Asocimit që u mbajt sot në Prishtinë,
Paquet ka thënë se çështja e themelimit të gjykatës speciale duhet të riprocedohet në Kuvend sa më shpejt që është e mundur, ndërsa ka inkurajuar deputetët e Kuvendit të Kosoves që ta votojnë për këtë.
“Bashkimi Evropian ka shprehur brengën e institucioneve të BE-së që Kosova ende nuk ka pasur mundësi të themelojë këto oda të specializuara dhe kjo ka qenë një befasi për ne mirëpo mendoj se është thelbësore që kjo gjykatë të themelohet në mënyrë që Kosova të ketë meritat e saj në arenën ndërkombëtare.
Drejtësia dhe viktimat janë dimension kyq për të arritur vizionet dhe përkushtimin për ligjin dhe mund të them se është thelbësore se Kosova duhet të tregohet e pjekur politikisht. Nuk ka asgjë për të fshehur dhe t’i rrisë përpjekjet për themelimin e kësaj gjykate. E di se shumë shpejt mund të kthehet dhe të riprocedohet në Kuvend kjo çështje dhe inkurajoj Kuvendin e Kosovës në mbështetjen e Qeverisë madje edhe liderët e partive politike që ta riprocedojnë këtë në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Eric Paquet.
