Opozita ka dalë kundër ligjit të turizmit i cili është diskutuar pasditen e sotme në Kuvend,pikërisht në seancën e fundit për këtë sezon. Projektligji për turizmin ka ‘përplasur’ ashpër mazhorancën dhe opozitën.
Partia Demokratike ka paralajmëruar votën e saj kundër nismës së qeverisë, me argumentin se vjen në shkelje të procedurës parlamentare dhe duhet të reflektojë vërejtjet e mbërritura për draftin.
Në emër të opozitës ka folur gjatë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka quajtur ligjin e ri për turizmin; një ligj burracakësh, dhe se sipas tij ky ligj si në asnjë vend të botës, përveç Koresë së Veriut iu merr kompetencat vendorëve për t’ia dhënë sivllaut të kryeministrit, siç e quan ai deputetin e Sarandës Koço Kokëdhima.
Më tej ish-kryeministri tha se ky ligj shpërfill pronarët shqiptarë dhe autorizon shtetin të shtrijë dorën drejt tokave të privatit.
Por ndërsa kryeministri Rama nuk preferoi të fliste në seancën e sotme, akuzave të Berishës i është përgjigjur ministri i Turizmit Arben Ahmeta j, i cili tha se me këtë ligj zgjidhen të gjitha problematikat, edhe ato shqetësime që kanë deputetët e PD-së.
Më tej ministri tha se me ligjin e ri synohet promovimi i ekonomisë, ku risi është kapitulli për investimet, ku tokat shtetërore do t’i jepen investitorëve me 1 euro me tender, pasi investitori strategjik që të shkurtojë investimet nga 16 në 8 vite kërkon mbështetje. E sa i përket pronave private do shpronësohen të gjitha, garantoi ministri Arben Ahmetaj.
Ashtu si ndodhi edhe me ligjin e Arsimit të Lartë, edhe ligji për Turizmin pritet të miratohet vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk e aprovon.
