Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi sot në Facebook, për vrasjen e dy turistëve çekë në Dukagjin, duke e cilësuar atë një vrasje të pabesë dhe kanibaleske.
Duke ju bërë thirrje banorëve të Prekalit dhe të të gjithë zonës që të informojnë Prokurorinë për çdo të dhënë që kanë në lidhje me krimin, Berisha i kërkoi qeverisë që të trefishojë shumën për gjetjen e autorit. Ai kërkoi që të jepet garanci për personat që do të japin informacionin e saktë për autorët e kësaj vrasjeje.
“I kërkoj qeverisë të trefishojë shumën dhe të japë çdo garanci tjetër për personin apo personat që do të japin informacionin e saktë për autorët e kësaj vrasje, që na bën të skuqemi sot të gjithëve, si dhe vendndodhjen e tyre”, shkruan Sali Berisha.
Policia e Shtetit do të japë 30. 000 euro shpërblim, për këdo që jep informacion për autorët e vrasjes së ndodhur mbrëmë në Prekal.
