Bisedimet vazhdojnë të hënën, ekspertët skeptikë për nivelin ndërmjetësues

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Bisedimet mes 4 partive politike për zbatimin në detaje të marrëveshjes politike, do të vazhdojnë në fillim të javës me ndërmjetësimin e ekspertit belg Piter Van Hojt, thonë për Alsat M përfaqësuesit e BDI-së në bisedime. Prioritet do të kenë çështjet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara më 24 prill të vitit të ardhshëm. Në këtë kontekst, grupi i punës duhet të diskutojë edhe çështjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili sipas Marrëveshjes së 2 qershorit, duhet të pësojë ndryshime në përbërje më së voni më 31 korrik. Megjithatë, një pjesë e ekspertëve shprehen skeptikë për nivelin e ndërmjetësimit të bisedimeve të mëtejshme, duke marrë parasysh vështirësitë të deritanishme në bisedime, por edhe çështjet e rëndësishme dhe të vështira që duhet zgjidhur.
Me marrëveshjen e 2 qershorit, Bashkimi Evropian është zotuar që të lehtësojë dialogun mes partive politike për adresimin e reformave, dhe këtë ka zgjedhur ta bëjë me delegimin e ekspertit belg, Piter Van Hojt. Monitorimi është paralajmëruar përmes Këshillit për stabilizim-asocim, Dialogut Paraqasës në Nivel të Lartë dhe me Raportin e Progresit. Megjithatë, këto filtra janë efektivë vetëm në shtator dhe tetor, ndërsa Marrëveshja e Përzhinos parashikon disa çështje të rëndësishme që duhet adresuar deri atëherë, siç është çështja e prokurorit special, i cili duhet të zgjidhet më së voni më 15 shtator. Ekspertja Malinka Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane vlerëson se nëse bllokohet procesi rreth Prokurorit Special, garantuesit ndërkombëtarë të marrëveshjes do të ndërhyjnë me përfaqësues të një niveli më të lartë.
“Me siguri se do të duhet ndërmjetësim i një niveli më të lartë dhe me siguri se do të sigurohet. Gjithsesi se së pari do të insistohet që të arrijnë marrëveshje partitë, por nëse bllokohet diçka, pritet intervenim nga një nivel më i lartë, edhe nga BE edhe nga SHBA. Sigurisht se çështja kryesore do të jetë prokurori special, në përgjithësi për marrëveshjen, jo rastësisht edhe data e zgjedhjes është lënë më herët, dhe për këtë çështje mund të pritet ndërmjetësim të një niveli më të lartë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve”, tha Malinka Jordanovska, eksperte.
Grupi i punës i udhëhequr nga Van Hojt duhet të ndërmjetësojë edhe ndarjen e disa drejtorive mes pushtetit dhe opozitës. Nga LSDM-ja tashmë njoftuan se bëhet fjalë për Komisionin Shtetëror Zgjedhor, Agjencinë e Mediave, Byronë për Siguri Publike, Komisionin Shtetërorë për parandalimin e krimit dhe korrupsionit dhe Drejtorinë për të Ardhura publike. Van Hojt do të mbikëqyrë edhe adresimin e rekomandimeve të Rajnhart Pribe-s dhe Bashkimit Evropian, reformat e nevojshme në kuadër të kapitullit 23 dhe 24, si dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut.