Burim i vrasjeve mos zgjidhja e kontesteve pronësore

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kontestet e pazgjidhura pronësore shpeshherë janë bërë shkak tek konfliktet në mes të qytetareve, e ndonjëherë edhe kanë përfunduar me vrasje.
Nëpër gjykatat e vendit janë një numër i madh i lëndëve, të cilat nuk po arrijnë të zgjidhen, e të cilat po dërgojnë deri tek marrja e drejtësisë në duart e tyre nga vetë qytetarët. Madje, nëpër gjykatat e Kosovës ka lëndë me konteste pronësore që nuk po zgjidhen tash e 15 vjet, raporton KosovaPress.
Se është burim i vrasjeve mos zgjidhja e kontesteve pronësore, e pranojnë edhe vet udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Muaj me parë pas një mosmarrëveshje për një kontest pronësor në Pejë, një person kishte tentuar ta vriste një person tjetër. Derisa, edhe vrasja e policit Shemsi Gashi i ndodhur në muajin mars të këtij viti, dyshohet se ka ndodhur për shkak të një kontesti pronësor që ka pasur më herët me disa të afërm të tij në Prishtinë.
Tash e 15 vjet nëpër gjykata vazhdon të bredhë edhe Naim Ramizi, i cili nuk po arrin ta marr pronën që e ka blerë në vitin 2000.
Më pas ai shpjegon se para se t’iu drejtohen gjykatave kishin kontaktuar shitësin e pronave për problemin që u ka ndodhur, duke ia ndaluar pagesën e parave, meqë nuk po arrinin që ta shfrytëzonin pronën që kishin blerë.
Por, pas kësaj, shitësi kishte ngritur një padi për mospërmbushje të kontratës dhe kishte kërkuar anulimin e saj, e cila pjesërisht ishte aprovuar në Gjykatën e Gjilanit në vitin 2001. Kjo gjendje kishte mbetur deri në vitin 2005 kur Ramizi thotë se ishin detyruar t’ia paguanin edhe pjesën tjetër të mbetur të parave, çka e kishte bërë që shitësi ta tërhiqte padinë me arsyetimin se kanë pushuar arsyet.
Ramizi, thotë se edhe më tutje është pikërisht neglizhenca e gjykatave në Gjilan dhe afërsia e uzurpatorit Bekim Korçës me njerëzit e gjykatave, pasi i kanë vërejtur dhe i kanë parë familja e tij të cilët bredhin që 15-16 vite nëpër gjykatat e Gjilanit.
Madje, ai thotë se kanë ardhur në një moment kur ndoshta edhe duhet ta marrin drejtësinë në duart e veta, ndonëse nuk e dëshiron kurrë që kjo të ndodhë.
Për të dë shmuar origjinalitetin e dokumenteve se familja Ramizi ishte blerëse legjitime e pronës nga një serb, ishte bërë edhe ekspertiza grafologjike e nënshkrimeve të shitësit, që kishte rezultuar se të gjitha nënshkrimet janë origjinale të shitësit dhe nuk ka falsifikime të asnjë dokumenti.
Megjithatë, ende kjo lëndë nuk është zgjidhur, meqë siç thotë Ramizi, për afera korruptive gjyqtari i lëndës suspendohet dhe lënda nuk i ndahet asnjë gjykatësi, por pritet me vjet edhe pse është lënda më e vjetër dhe prolongohet. Derisa, pas kthimit të gjyqtarit, gati qe dy vjet nuk mbahet asnjë seancë gjyqësore.
Se sistemi gjyqësor në Kosovë po përballet me problemin e kontesteve pronësore, e thotë edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci. Ai tha për KosovaPress se kontestet pronësore kanë qenë edhe në të kaluarën, por edhe sot është një prej faktorëve që ka quar deri tek kryerja e veprave penale të vrasjeve.
Megjithatë, Peci shton se në të ardhmen duhet të krijojnë besimin e palëve në gjyqësor që me të vërtetë drejtësinë po e ndajnë drejt dhe nuk do të kenë probleme.
Por, Peci thotë se ende nuk kanë ndonjë numër të saktë të lëndëve që kanë për bazë kontestet pronësore e që janë të pazgjidhura.
Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Betim Musliu thotë për KosovaPress, se problemi më i madh në sistemin e drejtësisë vazhdimisht ka qenë mos zgjidhja e rasteve gjyqësore që janë iniciuar nga qytetarët. Madje, sipas Musliut, ka një mori të lëndëve civile që janë drejtuar nga qytetarët për t’u zgjidhur, por për fat të keq ato shumë më shumë janë ngatërruar.
Sipas tij, mos përkrahja e sistemit t ë drejtësisë është bërë me qëllim që të jetë i varur, prandaj gjykatat vazhdojnë të mos kenë efikasitet dhe efektivitet.