Skënderbeu nga Korça, kampioni i Shqipërisë, ashtu si i ka hije, shkelqeu me lojë e rezultat, duke deklasuar me rezultat 4:1 ekipin nga Irlanda e Veriut, Crusaders, në ndeshjen e parë të eliminatorëve për Champions League në futboll. Hamdi Salihi me shokë ishin në formë të jashtëzakonshme dhe e mbushën portën e skuadrës mysafire. Një lojë e pëlqyeshme e kampionit shqiptar që shkeli me lojë ekipin kundërshtar. Një fitore bindëse dhe një hap drejt kualifikimit, por që duhet pritur edhe takimin e kthimit me 21 korrik.
Në minutën e 15-të, Shkëmbi pason bukur për Berishën që duke dribluar futet brenda zonës, pason në qendër dhe aty Nimaga me të majtën godet duke e dërguar topin në rrjetë dhe 1:0. Hamdi Salihi shtoi epërsinë në 2:0 në minutën e 35-të. Gabim amator i portierit mik i cili nuk e kontrollon dot një gjuajtje nga distanca të Berishës dhe i jep një dhuratë Salihit i cili me portën e boshatisur nuk gabon duke dyfishuar rezultatin. Mysafirët në pjesën e dytë e ngushtuan rezultatin pikërisht në minutën e 48-të. Krosim nga e djathta dhe sulmuesi irlandez Owens gjendet krejtësisht i lirë brenda zone duke goditur me kokë dhe 2:1. Në minutën e 76-të, veprim i shkëlqyer i korçarëve. Latifi kombinon bukur me Vangjelin dhe ky i fundit e kthen në qendër, ku Latifi sërish e shtyn drejt portës por devijon portieri, aty gjendet Bernard Berisha që më pas e shtyn drejt rrjetës dhe 3:1. Shtatë minuta pa përfunduar takimi (83′) Hamdi Salihi që ishte në formë të lartë, realizoi golin e dytë të tij në këtë sfidë të madhe. Shkëmbi jep një asistim perfekt për Salihin dhe ky i fundit gjendet brenda zonës pasi kontrollon topin godet dhe tund rrjetën për 4:1. Fitore e madhe e kampionit shqiptar dhe është afër kualifikimit.
