Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, të kryesuar nga senatori Vannino Chiti, i cili shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe për mundësitë e investimeve italiane në Kosovë.
Kryeministri Mustafa i informoi senatorët italianë për progresin në Kosovë, fokusimin e Qeverisë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, si dhe reformat në shumë sektorë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Mustafa po ashtu theksoi angazhimin e Qeverisë Kosovës për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, duke theksuar rëndësinë e nënshkrimit sa më të shpejtë të MSA-së dhe liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje për përkrahjen që shteti italian po jep për Kosovën në proceset integruese dhe aspekte tjera zhvillimore.
Ai po ashtu shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me Italinë, në shumë fusha.
Kryesuesi i delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, Vannino Chiti, vlerë soi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e senatit dhe shtetit italian për Kosovën.
Gjithashtu, senatori Chiti shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve si dhe për mundësitë e investimeve italiane në Kosovë.
Po ashtu, edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot kryesuesin e delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, Vannino Chiti dhe më këtë rast diskutoi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm Kosovë-Itali, me theks në procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe bashkëpunimin ekonomik.
Veseli falënderoi senatorin Chiti, nëpërmjet tij edhe senatin e Republikës së Italisë që u gjend vazhdimisht pranë Kosovës dhe popullit të saj. Në takim u vu në spikamë nevoja e përmirësimit të informacionit në Bashkimin Evropian për Kosovën. Ndërsa për sa i takon investimeve, Kryekuvendari tha se prania e Ita lisë në fushën e ekonomisë duhet të jetë më e dukshme, jo vetëm me banka, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por edhe në binjakëzimin e qyteteve.
Veseli tha se përvoja nga Senati italian në eurointegrime është e mirëseardhur.
“Kosova me vlerat e saj, ishte, është dhe duhet të jetë pjesë e Evropës. Ne kemi nevojë për integrim dhe prania jonë në Bashkimin Evropian do të jetë vlerë e shtuar për demokracinë e madhe evropiane. Është e padrejtë që rinia jonë të ketë kufizime, kur dihet rëndësia e lëvizjes së lirë”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Senatori Chiti tha se në Senatin italian, Kosova gëzon përkrahje nga çdo përbërje e tij. Ndërsa, takimet e deritashme Senat-Kuvend i Kosovës, dëshmojnë se Italia e do Kosovën në BE.
“Senati italian dhe shteti ynë është në anën Tuaj në procesin e integrimeve, ajo është aleati juaj besnik në këtë rrugë, duke mos ndalur që bashkëpunimi të forcohet në të gjitha lëmenjtë. Italia e do Kosovën në BE”, theksoi senatori Chiti.
Kryetari Veseli e informoi senatorin Chiti se së shpejti formalisht do të konfirmohen krijimi i grupeve të miqësisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe pritet intensifikim i bashkëpunimit. Në takim u vu në dukje mungesa e pakove të qarta të informacionit për mundësitë e ekonomisë së Kosovës. Kjo mund të ishte shumë e dobishme për dy vendet në fushën e investimeve për ndërmarrjet prodhuese të vogla dhe të mesme, sektorin e financave dhe në bujqësi.
