Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi është dënuar më katër muaj mosushtrim të detyrës në skuadrën nga paralaxhja e Prishtinës.
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (KD i FFK), ka dënuar tekniku prishtinas prej katër muajsh pezullim pas fyerjeve e kërcënimeve që bëri pas ndeshjes Hajvalia-Besa (1-3).
FFK përmes një njoftimi ka konfirmuar dënimin e Munishit.
“Dënohet me ndalesë të kryerjes së funksionit të trajnerit dhe funksioneve tjera në klub në kohëzgjatje për 4 ( katër) muaj për të gjitha ndeshjet zyrtarë të organizuara nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Sipas këtij njoftimi, pronari i klubit të Hajvalisë, Mehedin Përgjegja-Meda, u qortua, derisa drejtori, Xhavit Pacolli është dënuar me 500 euro.
