Komisioni për Punë të Brendshme ka proceduar për në seancën e Kuvendit , projektligjin për Letërnjoftim, i cili ngjalli debat tek deputetët , anëtarë të këtij komisioni.
Deputeti i komuniteti boshnjak Qerim Bajrami propozoi një amendament me të cilin kërkon që komuniteti që ai përfaqëson ta marr letërnjoftimin në gjuhën e tyre varësisht se ku jeton.
Mirëpo, pati qëndrime se një propozim i tillë është në kundërshtim me ligjin për përdorimin e gjuhëve, meqë ai e rregullon përdorimin e gjuhëve në nivel qendror dhe atë lokal.
Megjithatë, deputeti Bajrami këmbëngulte se propozimi i tij nuk është në kundërshtim me asnjë ligj, sepse një gjë të tillë e kanë edhe komuniteti turk, ku përveç aty ku janë shumicë, edhe në komunat tjera mund të aplikojnë për marrjen e dokumentit në gjuhen e tyre.
Përkrahje këtij propozimi i kanë dhënë deputetët Anton Quni, Rexhep Selimi e Fadil Demaku, duke thënë se të gjitha komunitetet duhet të realizojnë të drejtat e veta të barabarta e jo një komunitet të ketë të drejta me shumë se tjetri.
Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi inkurajo i deputetin Bajrami, që të nisë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Gjuhët Zyrtare dhe problemin ta zgjidh nga koka, e jo nga fundi, sepse në Ligjin për Letërnjoftimin nuk buron ky problem.
Por, ndryshe mendon deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi i cili tha se është një konfuzion këtu, meqë dihet mirë përdorimi i gjuhëve zyrtare me ligjin i cili ekziston.
Edhe zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Mergim Himaj tha se gjithçka e rregulluar në këtë ligj rreth gjuhëve, është referuar tek ligji për përdori min e gjuhëve, prandaj kjo çështje nuk mund të rregullohet me këtë ligj.
Por, deputeti Qerim Bajrami tha se ka komunikuar edhe me komunitetin turk dhe ata mund të nxjerrin dokumentet e tyre edhe në Prishtinë, edhe në Gjilan, edhe në komunat tjera, në gjuhën turke.
Në këtë mbledhje Komisioni ka proceduar në seancë edhe dy projektligje tjera, Projektligjin bazik për Armët dhe Projektligjin për furnizim dhe pajisje me armë të institucioneve të sigurisë.
