Në procesin gjyqësor kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare më 1999 – 2000 në veri të Mitrovicës, sot ka dëshmuar Imer Morina, i cili tha se natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, serbët po i përzinin shqiptarët nga banesat dhe shtëpitë e tyre nga veriu i Mitrovicës.
Sipas tij, atë natë në atë pjesë të qytetit situata ishte tensionuar tej mase nga disa grupe serbe dhe ka pasur të shtëna armësh pothuajse gjatë gjithë kohës, ndërsa ka pasur të vrarë dhe të plagosur.
Ai ka pranuar se e kishte njohur Oliver Ivanoviqin rreth 40 vite si sportist dhe njeri me autoritet në Mitrovicë, ndonëse nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me të.
Morina potencoi se Oliverin e kishte parë natën kritike duke urdhëruar një grup prej katër personash që të hedhin bomba nga dritaret e banesave.
“E kam parë Oliverin duke urdhëruar njerëzit e tij që t’i hedhin bombat nga dritaret në banesat e shqiptarëve. Nga banesa ime pastaj kam parë po ashtu ushtarët e KFOR-it duke bartur njerëz të plagosur, ndoshta edhe të vdekur, nga ndërtesat në automjetet e tyre, por që serbët e tubuar i pengonin ata”, tha Morina.
Në lidhje me të akuzuarit e tjerë, Ilija dhe Neb ojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq, dëshmitari sqaroi se asnjërin prej tyre nuk I njeh, përveç Dragolub Delibashiqit, për të cilin tha se e kishte parë njëherë para lufte në uniformë të policisë.
Burhan Maxhuni, mbrojtës i viktimave, tha se në bazë të dëshmisë së sotme, por edhe dëshmive tjera që janë dhënë nga dëshmitarët e mëhershëm, ka prova të mjaftueshme që Oliver Ivanoviqi të dënohet.
Natyrisht, shtoi ai, i mbetet trupit gjykues të vendosë për këtë çështje në verdiktin final.
“Unë mendoj se kemi prova të mjaftueshme për ta mbajtur Oliverin dhe për ta marrë dënimin e merituar për veprimet në këtë vepër penale”, tha Maxhuni.
Në anë tjetër, avokati i Ivanoviqit, Lubomir Pantoviq, u shpreh skeptik në dëshminë e dëshmitarit të sotëm.
“Më duhet t’ju them se cilësia e dëshmisë së dëshmitarit të sotëm është jashtëzakonis ht e dobët, për çka do të bindeni në vazhdim. Ai në shumë segmente ka ndryshuar deklaratën e tij të dhënë më herët në polici. Nuk kisha dashur të hyj në detaje, por ajo deklaratë dhe kjo e sotmja e të njëjtit dëshmitar, dallojnë shumë”, tha Pantoviq.
Seanca do të vazhdojë të martën, ndërsa dëshmitar i radhës pritet të jetë Shpend Hasanaj.
