Një foshnje 18 muajshe palestineze është djegur e gjallë, pasi që kolonët izraelit ja vunë zjarrin një shtëpie në fshatin palestinez, Duma, në jug të qytetit Nablus, në Bregun Perëndimor.
Prindërit e foshnjës së vdekur dhe vëllai i tij katërvjeçar kanë pësuar djegie të rënda në 75 për qind të trupit, kanë njoftuar mjekët në Nablus.
Dëshmitarët theksuan se disa persona, për të cilët besohet se janë kolonë izraelit, kanë hedhur një lëndë ndezëse nëpër dritaren e dhomës së gjumit.
Ushtria e Izraelit ka kumtuar se është duke tentuar të gjejë përgjegjësit për sulmin.
Nabil Rdeineh, zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmud Abaz, deklaroi se përgjegjësinë për këtë sulm e bart Qeveria e Izraelit, ngase ajo edhe në tutje po mbështetë vendbanimet ilegale izraelite dhe po mbron kolonët.
Ai akuzoi për heshtje edhe bashkësinë ndërkombëtare, përkundër krimeve që po kryhen ndaj palestinezëve.
Në Duma u dogjën gjithsej dy shtëpi, ndërsa në muret e tyre u shkruan grafitit me porosinë “hakmarrje” në gjuhen hebrenje./21Media
