Djegia e hamulloreve dëmton arën, rrezikon rrethin

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Djegia e hamulloreve tani kur fushata e korrje-shirjeve është në vlug, pos dëmit që ia shkakton tokës që ka nevojë për materiet ushqyese, mund të jetë rrezik potencial edhe për përhapjen e zjarreve në mënyrë të pakontrolluar, siç ka ndodhur viteve të kaluara kur nga pakujdesia e këtillë janë djegur edhe qindra hektarë pyje.
Në Kosovë janë rreth 84 mijë hektarë të mbjella me grurë dhe sipas analizave të bazuara në llogaritjet e Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së, Kosova sivjet do të sigurojë 75%-80% të konsumit të brendshëm.
Sipas zyrtarëve të kësaj fushe deri më tani në mbarë Kosovën janë korrur mbi 50 % e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe shqetësues pas korrjes së grurit në vendin tonë mbetet fakti i djegies së hamulloreve që siç duket në Kosovë kjo është një traditë e cila vazhdon nga viti në vit.
Duke pasur parasysh që është në vlug fushata e korrje-shirjeve dhe zjarret në hamullore paraqiten pas mbarimit të korrjes së grurit është mirë të theksohen me kohë dëmet që shkaktohen me djegien e kashtës së mbetur, por edhe për rrezikun që mund të ndodh nga përhapja e pakontrolluar e zjarrit.
Është i njohur fakti se zjarret pas korrjes së grurit në hamullore shkaktohen me planifikim për ta pastruar arën nga hamulloret, që ekspertet thonë se është gabim, si dhe pa planifikim nga pakujdesia e ndonjë kalimtari apo bariu, ose nga persona që nuk janë shumë të vetëdijshëm për dëmet që mund të bëhen.
Adem Arifaj, zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka thënë për KosovaLive se djegia e hamulloreve i shkakton dëme të mëdha tokës dhe se mbetjet pas korrjes janë shumë të nevojshme që toka të fitojë materiet ushqyese për të cilat ka nevojë. Me djegien e tyre bëhet edhe shkatërrimi total i florës dhe faunës.
Është e gabueshme bindja e pronarëve të arave se me djegie tokës i kthehen materiet ushqyese, pasi shndërrimi i hamulloreve në hi e nuk ndihmon tokën, por vetëm e degradon.
Xhevdet Elezi, ekspert i studimit të tokës tregoi po ashtu se mbetjet pas korrjes duhet të lëvrohen dhe në asnjë mënyrë mos të digjen, përpos nëse me ndonjë rekomandim ose masë ligjore nuk është paraparë ndryshe, pasi lëvrimi i mbetjes së korrjes krijon sasi të konsiderueshme të lëndës organike. Llogaritet që nga 100 kg kashtë do të krijohen 8 kg lëndë të freskëta dhe deri 30 kg materie humusore dhe këtë proces e kryejnë masa e gjallë e tokës (flora dhe fauna).
Si pasojë e djegies së mbetjes së kashtës pas korrjes së grurit viteve në vijim mund të ndodhë të ulet prodhimi pasi kjo i shkakton dëme të mëdha tokës, largon materiet ushqyese për të cilat toka ka nevojë.