Drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, e ka sulmuar goxha ashpër Remzi Ejupin, duke e cilësuar atë fajtor për dy shkrime të gazetës Zëri, dhe duke I lidhur ato me Remzi Ejupin, të cilin ai e cilëson pronar të kësaj gazete.
Mustafa thotë se sulmi ndaj tij ka ardhur pasi që Vala është bërë sponzor gjeneral i Përfaqësueses së Futbollit të Kosovës, gjë që e ka tmerruar Remzi Ejupin, i cili, sipas tij, ka dështuar me prapaskena ta marrë Federatën e Futbollit.
Mustafa këtë reagim e ka postuar në Facebook.
Vala është sponzor gjeneral i Përfaqësueses së Futbollit të Kosovës për dy vitet e ardhshme. Kjo atë e tmerron!!! Ka investuar kohë personale, para, shkrime në gazetën e tij, prapaskena për ta marrë Federatën e Futobollit, etj, etj, por ka dështuar.
Vetëm disa ditë pasi Vala vendosi të jetë sponsor i përgjithshëm i Fedetarës së Futbollit dhe Përfaqësues, ai kalon në sulm kundër kompanisë.
Gazeta “Zëri” që udhëhiqet nga biznesmeni hipokrit, ka botuar dy shkrime për PTKnë. Në njërin jep alarmin për humbjet në PTK, kurse në tjetrin na kritikon neve për nënshkrimin e kontratave me kompani tjera dhe kthimin e tyre në Vala. Dy gjërat që janë në kundërthënie me njëra tjetrën!!
Por ai nuk don ta shoh veten. Ka disa muaj që ai nuk ua ka paguar pagat futbollistëve të klubit futbollistik “Prishtina”, ku ai është kryetar, por këtë e heshtë, e fsheh dhe nuk lejon askund të publikohet. E ka keqmenaxhuar klubin legjendar, nuk ka paguar tatimet, kontributet pensionale, etj etj. Një auditim i pavarur dhe një kontrollë nga tatimet, të cilën e bllokon përmes lidhjeve të veta, do ta nxirrte lakuriq fytyrën e tij të vërtetë.
Nuk mund ta kritikosh Valën për rënie të të hyrave dhe në anën tjetër t’i kritikosh kompanitë tjera se pse po vijnë në Vala. Kjo tregon realisht hipokrizinë e menaxhuesit dhe biznesmenit të kësaj gazete, tashmë të njohur për ne dhe gjithë opinionin publik, për të bëmat e tij në të kaluarën dhe tani.
Financat e PTK-së janë publike dhe ato nuk mund t’i fshehë askush. Siç kam deklaruar që në momentin para gati 5 muajsh, kur edhe kam marrë pozitën, PTK-ja kishte 30 Milionë Euro të hyra më pak gjatë vitit 2014 në raport me një vit më herët, vitin 2013. Ritmi i rënies së të hyrave ka vazhduar me të njëjtin trend edhe unë kur erdha në PTK, dhe po vazhdon edhe tani, megjithëse në saj të punës dhe angazhimit ka filluar të ndalet. Në muajin qershor për herë të parë gjatë këtij viti, kemi të hyra prej gati 8 milionësh. Këto të hyra do të vazhdojnë të rriten për shkak se ne kemi ndërmarrë një ofenzivë për kthimin e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe kompanive private në Vala.
Turpi u takon të gjithë atyre që për disa vite i kanë larguar këto kompani nga PTK, gjë që ka reflektuar seriozisht në të hyrat dhe dëmtimin e kompanisë. Ata që janë përgjegjës e dinë. Por këtu nuk duhet t’i harrojmë edhe ndryshimet teknologjike, bisedat dhe SMS falas.
Sa prej jush përdorni Viberin, WhatsApp-in apo ndonjë aplikacion tjetër dhe harroni ta mbushni telefonin?! A mendoni se ndaj kësaj situate PTK do të mund të ishte imune?!
Sa i përket akuzave për kontrata të paligjshmë me institucionet, është një tentim i po këtij biznesmeni të tremb të tjerët dhe të godas punën e kohëve të fundit që jemi duke bërë në rimëkëmbjen e PTK-së.
Asnjë kontratë nuk është e paligjshme. Kthimi masiv në Vala i kompanive ka tmerruar konkurencën, pjesë e së cilës shihen më së miri në shkrimet që “Zëri” boton vazhdimisht. Rezultatet do t’vijnë!
Do të vazhdojmë të jemi lider në këtë industri edhe për kohë të gjatë!
