Pas arrestimit të disa të dyshuarve për sulme terroriste në liqenin e Badovcit nga Policia e Kosovës, Ujësjellësi Rajonal Prishtina ka ndalur menjëherë furnizimin me ujë nga Badovci dhe ka dërguar mostrat tek Instituti Kombëtarë i Shëndetit për të verifikuar se a është i helmuar ky ujë apo jo.
Ndërkohë, KosovaPress ka kontaktuar përmes telefonit, zëdhënësen e Ujësjellësit, Arjeta Mejku, e cila lut qytetarët që të mos bëjnë panik dhe të ruajnë qetësinë deri sa ISHK të kthej një përgjigje nga mostrat e marra në ujin e Badovcit.
“Nuk duhet bërë panik tek qytetarët, mirëpo ne prodhimin e ujit e kemi ndërprerë për shkaqe sigurie në bashkëpunim me organet e rendit. Neve si ujësjellës na ka takuar që ta ndërpremë prodhimin e ujit deri në marrjen e një përgjigjeje nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik të Kosovës të cilët merren me shëndetin e qytetarëve, i kanë marrë mostrat dhe ata tashmë na japin instruksione se kur duhet ta lëshojmë ujin sërish”, tha Mjeku.
Ajo beson që kjo përgjigje do të kthehet gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, Burbuqe Latifi nga Instituti Kombëtarë i Shëndetit për KosovaPress tha se kanë filluar kontrollimin e mostrave por se ende nuk kanë përfunduar.
