U mbajt seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për terrorizëm, ku avokatët kanë pasur mundësi të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës. Në këtë seancë, Artan Kadriu dhe Zijadin Berisha kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Në seancën e kaluar kishin pranuar fajësinë Betim Ibrahimiaj e Adil Bushi. Ndërsa, Kujtim Bytyqi kishe pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohet për armëmbajtje pa leje. Të akuzuarit e tjerë nuk e kanë pranuar fajësinë, raporton Kallxo.com.
Avokatët mbrojtës mbeten pranë kundërshtimeve të tyre ndaj aktakuzës. Ndërsa, prokurori i kundërshtoi kundërshtimet e avokatëve.
Avokatët mbrojtës, Albana Kelmendi dhe Gëzim Baloku, propozuan që ndaj të mbrojturve të tyre të zbuten masat e caktuara nga gjykata ose ato të ndërpriten.
Gjykata vendosi që të akuzuarit Artan Kadriut dhe Zijadin Berishës t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe ajo t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.
Gjykata po ashtu vendosi që t’i refuzojë kundërshtimet e avokatëve ndaj aktakuzës dhe të caktojë seancë të shqyrtimit kryesor më datën 21.09.2015.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015, ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zejadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.
Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini, akuzohen nga Prokuroria për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.
