Banorja më e fundit e botës virtuale të Instagramit është Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
67-vjeçarja nuk i ka rezistuar dot më tundimit të përfshirjes në këtë rrjet social, ndoshta edhe për ta shfrytëzuar për fushatën e ardhshme presidenciale, meqenëse është parë vitet e fundit edhe fuqia e mediave sociale në ndihmë të fushatave elektorale.
Por fotot e kandidates demokrate nuk u përkasin takimeve të saj politike, as jetës private. Fotoja e saj e parë është një copëz nga gardëroba e saj dhe disa veshje të varura, simboli i së cilës qëndron te ngjyrat e veshjeve: blu, e kuqe dhe e bardhë.
Një zgjedhje e vështirë, siç e quan Clinton, zgjedhjen mes tri ngjyrave.
Nuk dihet nëse Clinton do ta vërë në përdorin të vetes rrjetin social, apo do të tregojë aty një profil tjetër të vetes.
Ajo që dihet është numri i ndjekësve, i cili rritet më hapa shumë të shpejtë. Vetëm brenda dy orëve pas postimit të saj të parë, Clinton regjistroi më shumë së 19 mijë ndjekës.

