Fillimisht është përfolur që renovimi i pishinës së Gërmisë do të përfundojë vitin e kaluar por nuk ndodhi. Pastaj është përfolur që zvogëlimi i thellësisë së pishinës nga 4.1 në 2 metra do të përfundojë në fillim të kësaj sezone, më saktësisht në qershor, por as atëherë nuk ndodhi. Tashmë mësohet se hapja e kësaj pishine do të bëhet me datën 11 korrik, pasi që kanë përfunduar pothuajse të gjitha përgatitjet dhe mësohet se kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla gjerë në hapjen solemne.
Emrush Hyseni, menaxhues i pishinës në Gërmi nga kompania Sport Marketing, tha se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar dhe pishina është kah fundi i mbushjes me ujë. Sipas tij, sivjet siguria në pishinë do të jetë shumë më e madhe dhe niveli i pastërtisë do të jetë shumë i mirë.
Hyseni tha se meqë në Prishtinë ka mungesë pishinash dhe i vetmi vend për relaksim është pishina e Gërmisë, janë munduar që të sigurohen kushte të favorshme për vizitorët e kësaj pishine.
Sa i përket çmimeve, Hyseni tha se do të jenë të volitshme dhe të arsyeshme për qytetarët.
“Çmimet i kemi shumë të lira, është 2 euro për vizitor të rritur, ku përfshihet edhe TVSh…për të vegjlit deri në 14 vjet është 1 euro”, tha Hyseni.
Investimi në renovimin e kësaj pishine është bërë nga Komuna e Prishtinës.
