Komuniteti egjiptian vazhdon të ballafaqohet me vështirësi socio-ekonomike, të strehimit dhe të arsimit. Kështu u tha në Ditën Kombëtare të komunitetit egjiptian, ditë në të cilën edhe është shpallur simboli kombëtar që do të përfaqësojë të gjithë egjiptianët e Ballkanit.
Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, në këtë ditë theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuar për afirmimin e këtij komuniteti si dhe respektimin dhe trajtimin e tyre si qytetarë të barabartë të Kosovës.
“Shënimi i 24 qershorit nga institucionet e Kosovës dëshmon përkushtimin e institucioneve të vendit për afirmimin dhe respektimin e traditës, kulturës dhe të vlerave që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kosovë e në veçanti komuniteti egjiptian”, tha Shala.
Shala tha mes tjerash se Qeveria është duke hartuar strategjinë e re për komunitetet e cila pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së këtij komuniteti dhe të tjerëve që jetojnë në Kosovë.
Ndërkaq ministri i Administratës Publike Mahir Jagcilar, tha se të gjitha komunitetet e Kosovës kanë dhënë kontributin e tyre për ndërtimin e shtetit të Kosovës, dhe se për këtë arsye meritojnë të trajtohen në mënyrë të barabartë me shumicën shqiptare.
Berisha tha se pjesëtarët e komunitetit që ai përfaqëson kërkojnë të trajtohen me identitetin tyre të pastër e jo me emra përbuzës e të pakuptimit si “ RAE” apo “magjup”.
Ndërsa zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim Jollxhi Shala tha se në procesionin e riatdhesimit dhe të kthimit të komuniteteve në Kosovë, në dhjetor të viti 20 14 në Kosovë, nga Mali i Zi janë kthyer 27 familje, ndërsa nga Maqedonia 21 sosh. Ndërkohë në proces të kthimit kanë mbetur edhe 12 familje nga Mali i Zi për në qytetin e Gjakovës.
