Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta II, ka filluar sot vizitën zyrtare në Gjermani. Kjo vizitë po përcillet me një interesim të madh të medieve gjermane, të cilat Mbretëreshën e kanë cilësuar si armë të fshehtë të diplomacisë britanike.
Mbretëresha e Britanisë, Elizabeta II është takuar sot në Berlin me kancelarin e Gjermanisë, Angela Merkel, ndërsa mediet gjermane këtë takim e kanë cilësuar si takim mes mbretëreshave të Britanisë dhe të Evropës.
Mediet gjermane nënvizuan se mbretëresha 89 vjeçare është tejet e popullarizuar në Gjermani, por gjithashtu theksuan se vizita e saj nuk ka vetëm karakter ceremonial, por ka edhe një prapavijë politike.
Situata është serioze, vlerëson shtypi gjerman, duke qartësuar se Elizabeta II në të vërtetë është një armë e fshehtë e diplomacisë britanike, duke pasur parasysh faktin se Kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, ka paralajmëruar organizimin e një referendumi për mbetjen apo jo të Britanisë në Bashkimin Evropian, i cili pritet të zhvillohet në vitin 2017.
Sipas medieve gjermane, nga këndvështrimi i Gjermanisë, dalja e Britanisë nga unioni do të mund të ishte një proces i dhimbshëm dhe supozohet se mund të jetë pikërisht Mbretëresha ajo, e cila mund të nënvizojë rëndësinë e mbetjes së Britanisë në Bashkimin Evropian.
Shtypi gjerman është i mendimit se fjalët e Mbretëreshës kanë më shumë peshë, se sa paralajmërimet e Kameronit.
Elizabeta II do të qëndrojë në Gjermani deri të premten dhe është kjo vizita e saj e parë në Gjermani pas saktë 50 viteve, pasi që ajo herën e fundit vizitoi Gjermaninë në qershor të vitit 1965./21 Media
