Greqia po lëvizë në drejtim të greminës. Kështu së paku ka paralajmëruar sot një zyrtar anonim gjerman, i cili theksoi se tashmë është tejet vonë që të vazhdohet programi i ndihmave për Greqinë.
Gazeta greke, Kathimerini, njoftoi sot se kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, është duke e shqyrtuar propozimin më të ri të Komisionit të Evropës, për vazhdimin e ndihmave për Greqinë.
“Zyra e Kryeministrit ka njoftuar Brukselin se është duke e vlerësuar propozimin e kryetarit të Komisionit, Zhan Klod Junker, që përfshin ndihma në lidhje me borxhin në tetor”, shkroi gazeta.
Në rast të përgjigjes pozitive nga Athina, ministrat e Financave të Eurozonës do të miratonin deklaratën, në të cilën do të përsëritnin premtimin nga viti 2012 për vazhdimin e afatit për shlyerjen e borxhit.
Përndryshe, Greqisë sonte i skadon afati për t’i paguar borxhin në vlerë prej 1.6 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Dhe ekspertët tashmë kanë filluar të tërheqin vërejtjen se në rast se Greqia sonte nuk paguan këstin e borxhit, atëherë borxhi i përgjithshëm i Athinës do të ngrihej në 323 miliardë euro dhe do të ishte ky falimenti më i madh i një shteti regjistruar ndonjëherë./21Media
