Rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu, ftoi senatorët që të fokusohen në çështjet më të rëndësishme, siç është fillimi i vitit shkollor dhe ta miratojnë rendin e ditës.
“Ju ftoj që sot të fokusohemi kryesisht në ato çështje të cilat kanë të bëjnë me fillimin e vitit shkollor, sepse është procedura e shpalljes për studime master. Nga fillimi i këtij viti jemi dakorduar të gjithë së bashku që për studimet master të fillojmë me kohë 1 tetor dhe të mos vonohen ashtu siç janë vonuar deri tash. Unë ju ftoj që të miratojmë këtë rend dite dhe të fillojmë me procedim”, tha rektori Zejnullahu.
E, dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku, u ankua për gjendjen në të cilën ndodhet UP-ja. Sipas tij problem thelbësor është e ardhmja e UP-së dhe zhvillimet brenda UP-së.
Kemajl Kurteshi, nga Fakulteti i Bujqësisë, kërkoi që votat e senatorëve të jenë të vlefshme çdo herë jo vetëm në raste interesi duke specifikuar këtu rastin e Pranvera Zejnullahut.
Në këtë mbledhje u arrit që të zgjidhet dekani i Fakultetit Juridik. Në këtë post u emërua prof.as.dr. Haxhi Gashi, ndërsa në postin e prodekanit u emëruar të FIM-së, prof.asoc.dr Januz Bunjaku.
Po ashtu është marrë vendim për caktimin e kritereve dhe numrit të studentëve për regjistrim në nivelin master për vitin akademik 2015/16 dhe shpalljen e konkursit për plotësimin e vendeve të lira nga afati i parë në nivelin bachelor.
