Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) Haki Demolli, pritur Evelin Farkash, zëvendës asistente e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, e cila ka thënë se është me rëndësi që të punohet sa më shumë për shtyrjen përpara të agjendës së transformimit të FSK-së në FAK, pasi kjo do të hapë mundësi më të mëdha bashkëpunimi.
Ai ka njoftuar Farkash me fushat dhe shkallët e nivelit të bashkëpunimit në mes të Departamentit të Mbrojtjes, Ushtrisë së SHBA-së me MFSK-në dhe FSK-në.
Duke vlerësuar lartë këtë bashkëpunim, ai theksoi ‘Partneritetin për Paqe’ që ka FSK-ja me Gardën Kombëtare të Ajovës. Fushat e bashkëpunimit janë të shumta si në; programe dhe projekte të ndryshme, trajnime, edukimi, donacione materiale dhe financiare si dhe kontributi përmes ekipeve këshilluese për shumë fusha të rëndësishme.
Me këtë rast, ministri Demolli njoftoi mysafiren nga SHBA-të edhe me fushën e bashkëpunimit regjional dhe bilateral me të gjitha shtetet që kanë shpreh gatishmërinë, deri tek ushtrimet e përbashkëta dhe fusha tjera të bashkëpunimit me interes të dyanshëm.
Sipas një komunikate të MFSK-së, ministri Demolli ka vlerësuar edhe pjesëmarrjen e MFSK-së dhe FSK-së në nismat regjionale të sigurisë, me dëshirën për të dhënë edhe më shumë kontribut në forcimin e sigurisë së përbashkët. Çështje me rëndësi ishte edhe njoftimi i Farkash edhe me procesin etransformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe sfidat aktuale që ekzistojnë me procedurat kushtetuese dhe parlamentare të aprovimit të amendamenteve që kanë të bëjnë me këtë transformim dhe procedimit të projektligjit për Transformimin e FSK-së në FAK.
Ndërsa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama e njoftoi Farkash me të arriturat në FSK-së, me procesin e përgatitjeve për transformim, sidomos në ato fusha që nuk kanë të bëjnë me vendime politike, për të pritur këtë proces sa më të përgatitur, për çka si ministri dhe FSK edhe e kanë themeluar edhe Departamentin për Transformim.
Me këtë rast, Dr Farkash shprehi kënaqësinë e saj me zhvillimet në FSK, me punën që është bërë në përgatitjet për transformim dhe shkallën e gjerë të bashkëpunimit të shumanshëm korrekt dhe konstruktiv, duke theksuar se partneriteti për Paqe (PpP) mund të jetë rruga e ecjes përpara drejtë bashkëpunimit me NATO-n.
“Është me rëndësi që ju të punoni sa më shumë për shtyrjen përpara të agjendës së transformimit, e cila do të hapë rrugë dhe mundësi më të mëdha bashkëpunimi, si në planin bilateral po ashtu edhe në atë multilateral”, ka thënë ajo.
