Në Ferizaj sot më një akademi solemne është shënuar 16 vjetori çlirimit.Krerët e pushtetit lokal, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, deputetë, nxënës, qytetarë e tjerë janë përkulur para shtatoreve të komandantëve të rënë, ndërsa ceremonia e përvitshme e vendosjes së kurorave me lule, në nderim të gjakut të derdhur për liri është zhvilluar në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.
Si dhe me një akademi solemne më këtë rast kryetari i Komunës Muharrem Svarqa ka thënë:”Sot është koha për të reflektuar për dhjetëra breza të këtij nënqielli, që vuajtën për shumë dekada të zezat e skamjes, urisë, shtypjes kombëtare e njerëzore deri në përmasa shfarosëse. Është dita për të reflektuar për flijimet e panumërta në themelet e lirisë, shtetformimit, shtetndërtimit e demokracisë. Dhe për t’iu shfaqur edhe një herë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe të gjithë atyre faktorëve ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e bënë të mundur lirinë e Kosovës dhe lirinë e Ferizajt”, ka nënvizuar Svarqa.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Nazmi Krasniqi, i cili tha: “Sakrificat e mëdha i bëjnë njerëzit e mëdhenj dhe këta nuk i munguan popullit”, ka thënë kryeveterani Krasniqi.
Në këtë akademi është shfaqur edhe një program i begatshëm kulturo-artistik, me këngë të ndryshme nga kori i qytetit dhe i Shkollës së Mesme të Muzikës “Çesk Zadeja”. / 21MEDIA
