“Fiat Chrysler” njoftoi të premte tërheqjen e rreth 1.4 milionë automjeteve në Shtetet e Bashkuara, vetëm pak ditë pasi dy hakera mundën të marrin kontrollin e një mjeti “Jeep” përmes internetit.
Tërheqja që përfshin mjete të tipit “Dodge”, “Jeep”, “Ram” dhe “Chrysler” është një hap i detyrueshëm për kompaninë, i ndërmarrë pasi revista “Wired” të martën publikoi një artikull ku shpjegohej sesi dy piratë informatikë mundën të manipulonin nga distanca sistemin e transmetimit të një “Jeep Cherokee”, sistemin radio, atë të kondicionimit të ajrit dhe sisteme të tjera.
Kompania bëri të ditur se do të përditësojë programin, për të izoluar këto mjete nga mundësia e të qenit të kontrollueshme nga distanca. Përmes një deklarate, “Fiat Chrysler” bëri të ditur gjithashtu se manipulimet e paautorizuara në distancë ndaj një mjeti lëvizës përbëjnë një akt kriminal.
