Hulumtimi mbi financimin e RTK-së u prezantua sot para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike.
Ky hulumtim ishte kërkuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie, ndërsa është bërë nga Dukagjin Gorani me mbështetje të USAID-it për një projekt të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), raporton Kallxo.com.
Hulumtimi tregoi se Radio-Televizioni i Kosovës financohet drejtpërdrejt nga buxheti shtetëror nëpërmjet përkrahjes nga Kuvendi.
Një formë e tillë financimi, sipas Goranit, hartuesit të hulumtimit mund të jetë lehtësi për transmetuesin publik, “mirëpo shkakton kokëçarje për të gjithë të tjerët, sidomos për zhvillimin e pavarësisë editoriale të transmetuesit, shkakton rënie të besimit për mediumin e pavarur dhe publik dhe po ashtu shkakton paqartësi të mëdha se si ato para po shpenzohen”.
Gorani tha më tutje në mbledhjen e komisionit se RTK-ja ka rënie besueshmërie dhe besueshmëria sipas tij do t’i bie ende nëse vazhdon financimi nga qeveria.
“Nëpërmjet hulumtimeve që janë bërë gjatë periudhës 2013-2015, është vërejtur që edhe shkalla e besueshmërisë ka ra në mënyrë drastike brenda këtyre 3 vjetëve, në krahasim me shkallën e transmetuesit që RTK-ja e ka pasur më herët…shumë ma shumë jam i pirur që të besoj që politika editoriale nuk ka ndryshuar shumë mirëpo ka ndryshuar perceptimi popullor, që ka ndryshuar mënyra e financimit”, tha Gorani.
Me rënien e besueshmërisë të përmendur nga Gorani nuk u pajtua Mentor Shala, drejtor përgjegjës në RTK.
“Nëse flasim për perceptimin, duhet me e bazu diku perceptimin, ku është ai perceptim që i ka rënë besueshmëria transmetuesit publik, në bazë të çkafit. Në bazë të sondazheve që i kemi ne, RTK-ja nuk e ka një politikë editoriale të cilën nuk ka ndryshuar dhe ka vazhduar të mbetet një politikë e pavarur menaxheriale, … dhe vazhdojmë të jemi korrektë me paraqitjen e të gjitha palëve”, tha Shala.
Ndërsa Ismet Bexheti, kryetar i Bordit të RTK-së mënyrën e tashme të financimit të mediumit publik e cilësoi më korrekten.
“Ne kemi shprehur dhe qëndrojmë në mënyrën e opsioneve të financimit të RTK-së nga buxheti i Republikës së Kosovës, të cilat mendojmë se e siguron një siguri financiare për RTK-në, kjo mënyrë e financimit është mbështetur edhe nga Unioni i Transmetuesve Evropianë, duke shprehur qartë qëndrimin se forma e financimit është më adekuate dhe më e përshtatshme, por që duhet rritur përqindja, si dhe duke rritur llogaridhënien e RTK-së para Kuvendit,” tha Bexheti.
Vazhdimin e një financimi të tillë e propozoi edhe Adnan Merovci, kryetar i Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM).
“RTK-ja propozoj që të vazhdojë të financohet nga buxheti i shtetit,” tha Merovci.
Ndërsa për anëtaren e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Shqipe Pantina, e rëndësishme është që të ruhet pavarësia editoriale.
“Sa do të ndikonte kjo formë e financimit, në ruajtjen e pavarësisë, e cila duket se do të jetë shqetësuese për të gjithë, pasi që edhe hulumtimi i z.Gorani e tha se besueshmëria në transmetuesin publik lidhet me financimin e RTK-së,” tha Shqipe Pantina, deputete nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Raporti i punës së RTK-së për vitin 2014 më 5 qershor nga Komisioni për Buxhet dhe Financa iu dërgua për miratim Kuvendit edhe pse ky komision konstatoi se RTK-ja shpenzoi më tepër sesa e kishte buxhetin.
