FOL: Nëse do të kishte zgjedhje, PDK do të ishte partia më e votuar

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Rreth 17 për qind e qytetarëve të Kosovës mendohet se gjatë zgjedhjeve të fundit u është kërkuar që të shesin votën e tyre, në shkëmbim të ndonjë shërbimi, paraje apo ndonjë dhurate.
Kjo shifër konsiderohet alarmante, pasi që shihet se është i madh numri i qytetarëve, të cilët në bazë të përfitimeve materiale edhe mund të shesin votën e tyre.
Ndërsa një pjesë e madhe të anketuarve kanë deklaruar se në rast të zgjedhjeve, do ta votonin Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo u bë e ditur sot, gjatë publikimit të raportit mbi partitë politike nga Lëvizja FOL.
Ky raport është bazuar në metodën sasiore dhe është zhvilluar gjithsej në 38 komuna të Kosovës. Të anketuar kanë qenë 1000 persona. Lëvizja FOL pohon se niveli i besueshmërisë së këtij hulumtimi është 95 përqind, sepse të dhënat janë të sakta.
Përfaqësuesi i Lëvizjes FOL, Fidan Kalaja, tha se 17 përqind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se e kanë shitur votën e tyre, ndërsa 33 përqind kanë mohuar një gjë të tillë.
Qytetarët në këtë anketë janë pyetur edhe rreth asaj se cilën parti do ta votonin, nëse do të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme pas një jave. PDK-ja del të jetë partia e cila do të mblidhte më së shumti vota edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Kalajës, nga 65 përqind e qytetarëve, votat e të cilëve do të ishin të vlefshme duke u bazuar në këtë hulumtim, rreth 29 përqind e tyre do ta votonin PDK-në, rreth 28 LDK-në, ndërsa 25.5 VV-në.
Sa i përket ndarjes së votave nga ana regjionale, PDK dhe LDK dhe VV do të ishin më të votuara në rajonin e Prishtinës, AAK në rajonin e Gjakovës, kurse NISMA në rajonin e Prizrenit.