Gjatë një operacioni kundër terrorizmit, forcat e sigurisë në Egjipt kanë vrarë gabimisht 12 persona, përfshirë edhe dy turistë meksikanë. Përmes një deklarate për shtyp, ministri i Brendshëm pranoi ngjarjen e rëndë.
Sipas ministrit, turistët po udhëtonin në katër automjete të cilat u futën në një zonë të ndaluar në Wahat, në Shkretëtirën perëndimore, në momentin kur forcat e sigurisë dhe ushtria egjiptiane ishin vënë në ndjekje të militantëve që po arratiseshin drejt Libisë.
Ndërsa 10 meksikanë të tjerë dhe një egjiptian janë plagosur, dhe po marrin mjekimin në spital.
Presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto, dënoi ngjarjen dhe kërkoi një hetim të plotë nga qeveria e Egjiptit.
Ministria e Brendshme egjiptiane tha se ka nisur hetimet për incidentin e rëndë. Ndërkohë, Ministria e Jashtme meksikane tha se të paktën 2 prej viktimave janë turistë meksikanë. Po punohet për identifikimin e viktimave të tjera.
Sipas autoriteteve egjiptiane, kompania turistike që po transportonte turistët nuk ishte e pajisur me leje për të hyrë në zonën ku ndodhi tragjedia.
Sipas BBC-së, shkretëtira perëndimore është një atraksion turistik por nga ana tjetër shërben edhe si një strehë për militantët./21Media
